Ne Jemi Albscreening

EUSCREEN dhe historia e depistimit neonatal të dëgjimit në Shqipëri

Ulja e dëgjimit është patologjia kongenitale më e shpeshtë tek të porsalindurit. Prej dekadash tashmë janë të konsoliduara dhe të standartizuara testet që përdoren për të depistuar dëgjimin tek ky grup, sikurse dhe bateria e testeve diagnostike. Po kështu metodat e ndërhyrjes dhe të rehabilitimit kanë treguar që, të përdorura në kohën e duhur dhe duke pasur në thelb përforcimin e rolit të familjes, arrijnë të shmangin handikapin e krijuar nga kjo lloj paaftësie.

Pra, ulja e dëgjimit është një patologji që plotëson të gjitha kushtet për të qenë objekt i një programi depistimi. Kjo e fundit është tashmë procedurë standarte në vendet Evropiane e më gjërë.

Depistimi neonatal i dëgjimit është prezantuar për herë të parë në Shqipëri në vitin 2004 (2004-2008) në maternitetet e Tiranës nëpërmjet një projekti të vogël që pavarësisht se nuk gjeti terren për t’u shtrirë më tej, theu akullin e një procesi të panjohur më përpara dhe tregoi që një program i tillë ishte i mundur. http://www.oae.it/old/news/2008_2009.html

Në vitet në vazhdim, depistimi neonatal i dëgjimit ka vazhduar me shkëputje dhe në bazë projektesh.

Programi EUSCREEN, 2017-2020, financuar nga Komuniteti Evropian nëpëmjet skemës Horizon 2020, është projekti më i madh i Depistimit Universal të Dëgjimit në Shqipëri. https://www.euscreen.org/

Universiteti i Mjekësisë Tiranë, si partner i këtij programi, në bashkëpunimin me disa nga Universitetet më prestigjioze të Evropës dhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për një periudhë 4 vjecare ndërtoi struktura, database, ndërgjegjësoi nëpëmjet shumë vektorëve popullatën e trajnoi një grup të madh personeli të mesëm e mjekësor mbi elementë të ndryshëm të depistimit, diagnostikimit e rehabitimit të uljeve të dëgjimit në moshë të hershme.

Testet e para të dëgjimit bëhen nga mamitë e trajnuara për këtë sekuencë testesh në maternitetet e Tiranës, Kukesit dhe Pogradecit.

Objektivat e këtij programi të madh janë:

  • Zbatimi në Tiranë, Kukës, Pogradec, i një studimi të gjërë bazuar në të dhëna dhe i kostifikuar.
  • Rritja e ekspertizës së stafit.
  • Rritja e ndërgjegjësimit të prindërve për rëndësinë e zbulimit të hershëm të uljeve të dëgjimit.
  • Krijimi i nje sistemi monitorimi dhe vlerësimi i aktivitetit, me mundësinë e shtrirjes në nivel kombëtar.
  • Krijimi i një regjistri me rastet e zbuluar, që mund të kthehet në një regjistër kombëtar.
  • Perhapja e ekspertizës në vazhdim.